image ZRrE-së i shkon një propozim për çmimin e rrymës, kjo është rritja që parashikohet

Kosovë

ZRrE-së i shkon një propozim për çmimin e rrymës, kjo është rritja që parashikohet

news image

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka mbajtur konferencë për medie, ku ka prezantuar komentet që INDEP i ka dërguar në raportin konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Analiza e INDEP do të dërgohet si pjesë e komenteve në diskutimin publik të organizuar nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Ajo është e ndarë në tre pjesë kryesore.

“Në pjesën e parë ne kemi trajtuar strukturën tarifore me blloqe ku kemi shpjeguar pozicionin konsistent të INDEP-it mbi nevojën për vendosjen e bllok tarifave. Në pjesën e dytë kemi trajtuar propozimin e ZRRE-së ndërsa në pjesën e fundit kemi paraqitur modelin e propozuar nga INDEP. Në fund kemi paraqitur rekomandimet kryesore për ZRRE-në bashkë me të dyja modelet të paraqitura në formë tabelare për të theksuar dallimet mes tyre”.

“INDEP duke pasur në rend të parë barazinë e secilit shfrytëzues të energjisë elektrike në Kosovë, duke ditur gjendjen e jashtëzakonshme me furnizim të energjisë dhe vështirësitë e shkaktuara nga pandemia COVID-19, propozon që çmimi i energjisë elektrike të rritet me një përqindje më të ulët se sa që ka propozuar ZRRE. Gjithashtu, INDEP përkrahë strukturën tarifore me blloqe, por propozon që kategorizimi të jetë në tre blloqe. Duke shtyrë përpara uljen e konsumit dhe rritjen e masave efiçiente”, u tha në konferencë.

Propozimi:

Tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 5.5% për të gjithë konsumatorët, përfshirë konsumatorët komercial.

Të rikthehet struktura tarifore me blloqe për konsumatorët e amvisërisë, ku ndarja do të bëhet në tre nivele të konsumit të energjisë elektrike, deri në 600 kWh në muaj, nga 600 deri në 1,200 kWh në muaj dhe mbi 1,200 kWh në muaj.

Për nivelin e konsumit deri në 600 kWh në muaj energji elektrike, të aplikohen tarifat prej 0.0712 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.0304 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 5.5% më të larta se tarifat aktuale.

Për konsumatorët që tejkalojnë nivelin e konsumit prej 600 kWh në muaj, të aplikohen tarifat prej 0.121 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.051 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 70% më të larta se tarifat e bllokut të parë.

Për konsumatorët që tejkalojnë nivelin e konsumit prej 1,200 kWh në muaj, të aplikohen tarifat prej 0.217 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.091 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 80% më të larta se tarifat e bllokut të dytë.

Dardan Abazi nga ekipi hulumtues tha se çështja e veriut ndërlidhet ngushtë me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Ai e ka quajtur shqetësues faktin që një pjesë e Kosovës paguan energjinë, e pjesa tjetër jo.

/GazetaSinjali/