Zyra e Rregullatorit për Energji e ka publikuar sot një raport konsultativ në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që e kanë bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.
ZRRE konstaton se rritja e konsumit të energjisë elektrike që u vërejt në vitin 2021 është shkak edhe i një ndryshimi të strukturës tarifore në vitin 2017.
Sipas ZRRE-së, nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që nuk shpenzojnë më shumë se 600 kWh rrymë në muaj.
Si ndahet kategoritë e konsumatorëve?
Kategoria A: Konsumatori që shpenzon 300 kWh/muaj vlerësohet si konsumator që shpenzon energjinë e nevojshme për të mbuluar nevojat esenciale për një familje 4 anëtarëshe. Gjatë vitit, 20.5% e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit, sipas ZRRE-së.
Kategoria B: Konsumatori me konsum 450 kWh/muaj – paraqet konsumin mesatar të një konsumatori të amvisërisë gjatë vitit. Bazuar në të dhënat e KEDS-it, konsumi mesatar (nga viti 2012 – 2020) nga amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh/muaj, është ~ 460 kWh/muaj. Konsumi mesatar në vitin 2021 për konsumatorët e amvisërive që shpenzojnë mbi 300 kWh/muaj energji elektrike është rreth 440 kWh/muaj. Gjatë vitit, 44% e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit.
Kategoria C: Konsumatori me konsum 600 kWh/muaj – paraqet konsumin bazik minimal të një konsumatori me ngrohje elektrike gjatë dimrit, në bazë të analizave gjatë vendosjes së bllokut në tarifat e kaluara, 69% të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit, dhe 79% të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë nivel gjatë muajve të verës.
Kategoria D: Konsumatori me konsum 800 kWh/muaj – paraqet një konsumator me konsum mbi bllokun e propozuar.
Kategoria E: Konsumatori me konsum 1000 kWh/muaj – paraqet një konsumator me konsum më të lartë të energjisë elektrike.
Raporti i plotë:
Zyra e Rregullatorit për Energji është në procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave për aktivitetet në sektorin e energjisë elektrike. Sipas legjislacionit sekondar të ZRRE-së, shqyrtimet e jashtëzakonshme ndodhin atëherë kur ndryshimet në mes të vlerave hyrëse të supozuara gjatë llogaritjes së tarifave, dhe vlerave të realizuara gjatë implementimit të tyre, ndryshojnë në atë masë sa kalojnë pragun e materialitetit prej 5%.
Gjysma e dytë e vitit 2021 u karakterizua me një rritje të paprecedentë të çmimeve në tregjet evropiane të energjisë elektrike, që u ndikuan nga kërkesa për gaz në Azi, niveli i ulët i rezervave të gazit në stoqet Evropiane dhe rritja e kërkesës për energji elektrike që erdhi si pasojë e rimëkëmbjes ekonomike pas kufizimeve fillestare të COVID-19. Ndikimi i kombinuar i këtyre faktorëve bëri që çmimet në HUPX – bursën Hungareze të Energjisë Elektrike që merret si referencë për shkak të afërsisë gjeografike dhe likuiditetit të saj – të arrijnë vlerën €376/MWh që paraqet rritje prej 563% krahasuar me fillimin e vitit.
Si shtet neto-importues i energjisë elektrike, edhe Kosova është ndikuar nga rritja e çmimeve në Evropë. Përveç rritjes së çmimeve, në vitin 2021 në Kosovë është shënuar rritje të ndjeshme të kërkesës për energji elektrike, gjë që ka cenuar edhe sigurinë e furnizimit. Kjo është ndikuar pjesërisht nga ndryshimet e strukturës tarifore të vitit 2017, që kanë synuar thjeshtimin e strukturës por që kanë ndikuar në zvogëlimin e nxitjes për efiçiencë të energjisë dhe përdorimin e energjisë elektrike si alternativë më të lirë për ngrohje gjatë sezonës të dimrit.
ZRRE-ja ka përgatitur dy raporte konsultative:
- Raportin mbi të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) të Furnizuesit të Shërbimit Universal, të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), bazuar në shifrat e përcaktuara në këtë proces, dhe
- Raportin Konsultativ që paraqet qëndrimet e ZRRE-së për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin me energji elektrike për konsumatorë.
ZRRE beson fuqimisht se konsultimi publik është në qendër të politikave efektive rregullatore. ZRRE-ja u ofron kompanive të rregulluara, konsumatorëve dhe palëve tjera të interesit mundësinë që të shqyrtojnë të dhënat dhe qëndrimet e paraqitura në këtë raport konsultativ, dhe të komentojnë ato, duke paraqitur kundër argumente ose duke ofruar të dhëna të reja të cilat ZRRE-ja mund të mos i ketë marrë parasysh. Palët që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre për qëndrimin e ZRRE-së ftohen t’i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim në adresën ero.pricing‐tariffs@ero‐ks.org, jo më vonë se 28 janar 2022, në ora 18:00h.
Komentet përmes korrierit mund të dërgohen në adresën: Zyra e Rregullatorit për Energji, Departamenti për Tarifa dhe Çmime, Rr.Bekim Fehmiu (ish Ndërtesa e Fazitës), kati:2 Prishtinë, 10000, Kosovë.