Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj shprehet se në rast se me Ligjin për Paga, që tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës, parashihet ulja e pagave për gjyqtarët do t’i shikojë të gjitha mundësitë që këtë Ligj ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Ka pas një përpjekje të vazhdueshme për të ulur pagat e gjyqtarëve, ne kur po flasim ende nuk e dimë se sa do të jetë paga e gjyqtarëve. KGJK do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese nëse në Ligjin për pagat do të ketë zbritje për pagat e gjyqtarëve, ne shpresojmë që do të ketë qartësim deri në masë të administratës gjyqësore, shpresoj që do të ketë rritje, sepse ende është enigmë çështja e vlerës së koeficienteve, por që vlerësimet preliminare nënkuptojnë se do të ketë ulje drastike të pagave, diçka që është krejtësisht e papranueshme për KGJK”, thekson Zogaj.
Kreu i KGJK-së tha më tej se nuk mund të ketë ulje të pagave të gjyqtarëve sepse janë legjitimuar pagat me ligj e vendim dhe realisht për 5 vite gjyqtarët kanë pranuar këto paga dhe në kohën e inflacionit të madh dhe krizës të ulen pagat është krejtësisht e papranueshme. Për fat të keq deri tani nuk ka një refleksion të Avokatit të Popullit as në raport me vendimin e përparshëm dhe as të paktën deri tani të deklaruar me Ligjin e pagave, megjithatë pavarësisht kësaj. gjyqësori do të shikojë të gjitha mundësitë kushtetuese për ta ndjekur çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese.
Sa i takon Ligjit për Zyrtarët Publikë, i cili tashmë është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë opozitare PDK dhe LDK, Zogaj tha për KP shprehet se ky Ligj dëmton organizimin e administratës dhe si i tillë është i papranueshëm edhe për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.