image “Zjerm” që ndezi Evropën – Shkodra Elektronike rrëfejnë rrugëtimin e tyre: Qëllimi ynë ka qenë…

Muzikë

“Zjerm” që ndezi Evropën – Shkodra Elektronike rrëfejnë rrugëtimin e tyre: Qëllimi ynë ka qenë…

news image

Të ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Edea Demaliaj, ishin pjesëtarët e grupit Shkodra Elektronike, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca. Me këngën “Zjerm”, ata përfaqësuan me dinjitet Shqipërinë në Eurovision 2025, duke fituar simpatinë dhe zemrat e publikut shqiptar dhe ndërkombëtar, shlkruan Gazeta Sinjali.

Gjatë intervistës, dyshja ndanë rrëfime të sinqerta mbi fillimet e tyre, bashkëpunimin, emocionet pas performancës në Eurovision, si dhe qëllimin e veçantë që qëndron pas projektit të tyre muzikor.

I pyetur se si janë takuar dhe si ka nisur bashkëpunimi mes tyre, Beatriçe tregoi:

“Ne jemi takuar në internet, Kola ka pasur një grup dhe i kam gjetuar disa video në YouTube. I kam dërguar një mesazh që ‘faleminderit për atë që po bën’. Ka qenë një surprizë e madhe për të zbuluar një artist shkodran alternativ. Ka qenë 2014-2015, kam qenë e re, nuk e kam menduar që Kola kishte qejf për t’u bërë një grup.”

Kola e konfirmoi se projekti kishte marrë kohë për t’u kristalizuar:

“Është dashur kohë ta mendojmë projektin. Kisha disa kohë duke eksperimentuar, derisa kur më shkruajti Beatriçe. Më pëlqeu si këndonte, atituda e saj në skenë. Por në atë kohë nuk kisha diçka konkrete. Pasi mbarova turnetë me grupet e tjera, pastaj iu dedikova këtij projekti. Kemi bërë dy ditë prova bashkë dhe pastaj kemi filluar të bëjmë koncerte.”

Duke folur për stilin e tyre dhe mënyrën si e konceptojnë muzikën, Kola tha:

“Nuk ka rëndësi për ne. I bëjmë gjërat si na duken bukur, si na pëlqejnë ne. Nëse njerëzve u duket autentike, na bëhet shumë qejfi. I qëndrojmë këtij autenticiteti, nuk dimë ta bëjmë ndryshe. Mbase dhe mund ta provojmë (qesh).”

Ndërsa për misionin që kanë marrë përsipër në rikthimin e muzikës tradicionale shqiptare në një format modern, Beatriçe shtoi:

“Ai është koncepti i Shkodrës Elektronike. Ne na ka lidhur të dy një këngë, dashuria që kemi për këngët shkodrane e pastaj kemi zbuluar dhe këngë të tjera shqiptare. Kur kemi filluar, koncepti ka qenë që të rikthejmë këto këngë kaq të bukura, që nuk njihen shumë jashtë Shqipërisë. Pak njerëz i njohin këngët shkodrane. Pastaj kombinimi me muzikën elektronike, i tërheq njerëzve të rinj. Dëgjuesit janë dhe më të rinj se ne (qesh).”

Dhe me këtë frymë e mision, Kola e përmbylli:

“Kjo është Shkodra Elektronike”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/