image Zjarri ua bëri shkrumb e hi shtëpinë, familja 7-anëtarëshe në Malishevë mbetet pa kulm mbi kokë (VIDEO)

Sinjalizime

Zjarri ua bëri shkrumb e hi shtëpinë, familja 7-anëtarëshe në Malishevë mbetet pa kulm mbi kokë (VIDEO)

news image

Familja Kryeziu në fshatin Bubavec të Malishevës ka mbetur pa kulm mbi kokë pasi zjarri kaploi shtëpinë e tyre, e cila u bë shkrumb e hi. Zjarri nisi nga kulmi dhe përfshiu dy katet e shtëpisë, por fatmirësisht asnjë nga shtatë anëtarët e familjes nuk u lëndua. Kështu ka bërë të ditur kryefamiljari, në një prononcim për Sinjalin. 

I trishtuar se mbetën pa shtëpi, ai ka thënë se dyshimet e tij janë që shkaktar i zjarrit mund të jetë energjia elektrike, problem ky me të cilin përballet Malisheva që një kohë.

Ai ka deklaruar se aty ka jetuar më gruan dhe pesë fëmijët e tij, për të cilët u shpreh i pikëlluar se iu shpëtuan vetëm rrobat që i kishin në trup.

Zjarri që përfshiu shtëpinë dykatëshe u shua pas orës 21:00, pasi në vendin e ngjarjes dolën të gjitha njësitë përkatëse, me ç’rast u shkyç edhe energjia elektrike.

Përveç Policisë dhe njësiteve të Zjarrfikësve, Sinjali mëson se së shpejti pritet të dalin në vendin e ngjarjes edhe ekspertët, në mënyrë që të zbardhen rrethanat se si erdhi deri te zjarri.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ajo që dihet deri më tani është se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për rastin e iniciuar si “Incident zjarri”.

/GazetaSinjali/