image Zjarri përfshin bregdetin e Pulias, mbi 400 turistë evakuohen me anije

Evropë

Zjarri përfshin bregdetin e Pulias, mbi 400 turistë evakuohen me anije

news image

Një zjarr i madh ka përfshirë zonën bregdetare të komunës Peschici, në rajonin e Pulias në jug të Italisë, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë për evakuimin e qindra turistëve.

Rojet Bregdetare italiane kanë bërë të ditur se deri tani më shumë se 400 persona janë larguar nga zona e rrezikuar përmes detit, pasi kjo ishte rruga e vetme e sigurt për evakuim.

Operacioni i shpëtimit është ende në vazhdim, ndërsa autoritetet presin të largojnë edhe rreth 300 persona të tjerë nga zona e prekur.

Në aksion janë angazhuar disa mjete të Rojes Bregdetare, të Rojes Doganore, si dhe dhjetëra varka private që po ndihmojnë në transportimin e turistëve dhe mbështetjen e operacioneve.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë forcat zjarrfikëse dhe avionët “Canadair” duke luftuar me flakët, ndërsa një re e madhe tymi është parë nga disa kilometra larg.

Kryetari i komunës Peschici, Luigi d’Arenzo, ka deklaruar se situata aktualisht është nën kontroll dhe se po pritet edhe ndërhyrja e një avioni zjarrfikës nga Roma për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.

Sipas autoriteteve, zjarri deri tani nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për banesat, por për shkak të përmasave të tij dhe afërsisë me zonat turistike, operacionet e monitorimit dhe shuarjes do të vazhdojnë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/