Sot në mëngjes, ndërtesa e Institutit të Mjekësisë Ligjore është kapluar nga zjarri.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin. Sipas tyre, nuk ka persona të lënduar nga zjarri.
Ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetimin e rrethanave që kanë shkaktuar zjarrin në këtë objekt.
Për zjarrin në IML është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Zëdhënësja e këtij institucioni, Laureta Ulaj, ka thënë për Gazetën Sinjali se janë lëshuar autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes.
“Me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me të gjitha njësitë relevante për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti”.
“Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmerrë veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së. Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë”, tha Ulaj.