image Zjarret përfshijnë jugperëndimin e Francës, rreth 20 mijë persona evakuohen

Evropë

Zjarret përfshijnë jugperëndimin e Francës, rreth 20 mijë persona evakuohen

news image

Rreth 20 mijë persona janë evakuuar nga jugperëndimi i Francës, ndërsa autoritetet po përgatiten të zhvendosin edhe 8 mijë e 800 banorë të tjerë për shkak të përhapjes së zjarreve të mëdha pyjore në rajonin e Gironde.

Deri më tani, flakët kanë djegur rreth 3 mijë e 400 hektarë tokë në zonën përreth Gjirit të Arcachonit, ndërsa rreth 700 zjarrfikës janë angazhuar në përpjekjet për shuarjen e zjarreve.

Shumica e personave të evakuuar janë turistë që po qëndronin në kampingjet e gadishullit Lege-Cap-Ferret. Autoritetet kanë bërë të ditur se gjatë natës janë larguar rreth 10 mijë turistë, ndërsa evakuimet po vazhdojnë edhe në zona të tjera si masë parandaluese.

Prefektja e Girondes, Sophie Brocas, tha se zhvendosja e banorëve po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe se deri më tani nuk është raportuar asnjë person i lënduar. Për arsye sigurie, disa rrugë dhe zona pyjore janë mbyllur.

Shefi i shërbimit zjarrfikës në Gironde, Marc Vermeulen, paralajmëroi se situata mbetet shumë e rrezikshme për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta, të cilat po favorizojnë përhapjen e flakëve.

Më herët gjatë kësaj jave, dy zjarrfikës kanë humbur jetën gjatë përballjes me një tjetër vatër zjarri pranë aeroportit të Bordeaux.

Situatë e rëndë është raportuar edhe në Itali, ku një zjarrfikës ka humbur jetën në San Cataldo të Sicilisë. Vetëm në këtë ishull janë regjistruar mbi 350 zjarre, ndërsa disa prej tyre kanë detyruar autoritetet të kryejnë evakuime parandaluese.

Edhe Spanja po përballet me zjarre të mëdha pyjore. Pranë fshatit Almorox, banorët kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre, megjithëse flakët ende nuk janë vënë plotësisht nën kontroll. Në këtë zonë janë djegur rreth 890 hektarë, ndërsa në rajonin Guadalajara zjarri më i madh i këtij viti ka shkrumbuar mbi 35 mijë hektarë.

Franca, Italia dhe Spanja janë ndër vendet evropiane më të prekura nga valët e gjata të të nxehtit, të cilat kanë krijuar kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve pyjore.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/