Edhe 55 mijë persona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Francë, ndërsa zjarret masive që kanë përfshirë vendin po vazhdojnë të intensifikohen.
Evakuimet e fundit janë kryer në gjashtë qytete në jug të Bordosë, në rajonin e Gironde-s, ku flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha, raporton BBC, transmeton Sinjali.
Zjarret kanë goditur disa zona të Evropës gjatë javës së fundit, veçanërisht Francën dhe Spanjën, ku deri tani janë evakuuar më shumë se 330 mijë njerëz.
Franca është ndër vendet më të prekura, me rreth 42 mijë hektarë tokë të djegur, duke u cilësuar si një nga zjarret më të mëdha pyjore që prej Luftës së Dytë Botërore. Në total, rreth 98 mijë hektarë janë djegur në të gjithë vendin që nga fillimi i vitit.
Kapiteni Nicolas Braz, një nga drejtuesit e operacionit për shuarjen e zjarrit, tha se flakët kishin krijuar “erërat e tyre”, përfshirë edhe vorbulla ere, duke e bërë situatën “të paparashikueshme dhe të pakontrollueshme”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!