Dy pacientë kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka pësuar thithje tymi si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një spital në qytetin Ludwigslust të Gjermanisë.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, zjarri nisi rreth orës 04:28 në katin e sipërm të repartit të kirurgjisë vaskulare dhe më pas u përhap me shpejtësi edhe në çatinë e ndërtesës.
Si masë sigurie, 86 pacientë dhe rreth 20 anëtarë të stafit mjekësor u evakuuan, ndërsa disa prej pacientëve u transferuan në spitale të tjera për të vazhduar trajtimin.
Hetimet paraprake tregojnë se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një pacient që kishte ndezur cigare brenda dhomës, pavarësisht paralajmërimeve për ndalimin e pirjes së duhanit në ambientet e spitalit.
Në operacionin e shpëtimit u angazhuan rreth 90 zjarrfikës, të cilët arritën ta vënë zjarrin nën kontroll. Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!