Zinedine Zidane pritet të emërohet trajner i ri i Kombëtares së Francës, duke e zëvendësuar Didier Deschampsin pas largimit të tij nga posti.
Sipas gazetës franceze “L’Équipe”, fituesi i Kupës së Botës më 1998 do ta marrë zyrtarisht drejtimin e ekipit më 1 shtator.
Deschamps u largua pas eliminimit të Francës në gjysmëfinale të Kupës së Botës ndaj Spanjës. Francezët më pas u mposhtën 6-4 nga Anglia edhe në ndeshjen për vendin e tretë.
Federata Franceze e Futbollit ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht emërimin, por presidenti i saj, Philippe Diallo, ka paralajmëruar se një njoftim do të publikohet para përfundimit të muajit.
Ndërkohë, “Le Parisien” raporton se Zidane ka nisur tashmë formimin e stafit të tij, ku pritet të përfshihet edhe bashkëpunëtori i tij i hershëm, David Bettoni.
Ndeshja e parë e Zidane në krye të Francës pritet të jetë ndaj Turqisë në Ligën e Kombeve, ndërsa më 2 tetor francezët pritet ta presin Italinë në “Stade de France”.
Deschamps largohet pas 14 vjetësh në drejtimin e Kombëtares, periudhë gjatë së cilës e udhëhoqi Francën drejt titullit të Botërorit 2018, trofeut të Ligës së Kombeve dhe dy finaleve të tjera të mëdha.
Zidane, ndërkaq, ka shënuar suksese të mëdha si trajner i Real Madridit, duke fituar tri herë radhazi Ligën e Kampionëve nga viti 2016 deri më 2018. Turneu i tij i parë i madh me Francën pritet të jetë Kampionati Evropian 2028.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!