Vetëm një muaj më parë, Mbretëria e Bashkuar ishte duke premtuar atë që kryeministri Boris Johnson e quajti një “game changer” – bërja e milionave testeve të shpejta që zbulonin se kush ishte infektuar me koronavirus dhe zhvillimin e antitrupave ndaj sëmundjes.
Por plani për më shumë se 3.5 milion pajisje të tipit “test shtatzënie” për t’u shpërndarë nga shitësit si Boots dhe Amazon, u spraps kur u zbulua se ato ishin të pasakta.
Paneli Shkencor i Testimit Kombëtar të Kovidit në Oksford prezantoi rezultatet e vlerësimit të nëntë testeve komerciale antitrupash që po konsiderohen nga qeveria. Askush nuk ishte afër plotësimit të specifikave të kërkuara për testimin e individëve, për reagimin e tyre imunitar ndaj Covid-19.
Testimi i antitrupave shihet si thelbësor për sigurimin e të dhënave nga qeveritë, për të përcaktuar se kur është e sigurt të hiqet izolimi.
Testet duhet të tregojnë nëse individët kanë fituar imunitet nga infeksioni i kaluar. Kjo do t’i lejonte ata të punonin dhe të socializoheshin, pa e marrë virusin.
Testimi i grupeve të mëdha përfaqësuese gjatë një periudhe mujore ose vjetore do të zbulonte përhapjen e infeksionit dhe imunitetit në popullatë, dhe do të informonte në lidhje me zhvillimin e vaksinave, modelin epidemiologjik dhe politikën e shëndetit publik.
Probleme janë raportuar në të gjithë botën, me Spanjën dhe vendet e tjera evropiane që kanë kthyer mbrapsht një numër të madh testesh të antitrupave të importuara nga Azia, ndërsa Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA është kritikuar për lejimin e dhjetëra kompanive të shesin teste të pavlefshme, me një cilësi të dyshimtë.
Përleshja globale për testet e antitrupave ka shkaktuar një përpjekje të madhe nga kompanitë e bioteknikës dhe diagnostikimit. Fondacioni për Inovative New Diagnostics ose Find, një organizatë jofitimprurëse me seli në Gjenevë, rendit 280 teste antitrupash në zhvillim ose në treg.
Kontrolluesit në Kinë kohët e fundit u përplasën me eksportuesit që nuk kanë çertifikata nga autoritetet kineze, pasi pajisjet e testeve të eksportuara në Spanjë nga Shenzhen Bioeasy Bioteknologjia dolën që të kishin probleme me cilësinë.
Nga ky muaj, ndërmarrjet kineze që eksportojnë reagentë zbulimi Covid-19 dhe produkte të tjera duhet të marrin një çertifikatë regjistrimi të pajisjes mjekësore në Kinë, si dhe të përmbushin standardet e vendeve importuese. Deri më tani, vetëm 11 komplete të testimit të antitrupave kanë marrë miratime urgjente nga Agjensia Kombëtare e Produkteve Mjekësore të Kinës.
Sidoqoftë, ndërmarrjet e mëdha të diagnostikimit, përfshirë Roche dhe konkurrentja e saj amerikane Abbott, po nxjerrin testet e tyre serologjike në treg. Zhvillimi i një testi të saktë është një sfidë sepse duhet të njohë antitrupa specifikë për Sars-Cov-2, virusin përgjegjës për Covid-19, pa u shpërqendruar nga antitrupa të ngjashëm, që njerëzit mund të mbajnë nëse ata janë infektuar nga koronaviruse të lidhura që shkaktojnë vetëm simptoma të vogla të ngjashme me të ftohtin.
Shkencëtarët vlerësojnë saktësinë e testeve diagnostikuese në dy mënyra. Njëra është “specifike”, vetëm njohja e rasteve reale dhe shmangia e pozitiveve false. Tjetra është “ndjeshmëria”, duke identifikuar të gjitha rastet reale dhe duke shmangur negativet e rremë.