Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk janë regjistruar ende për zgjedhjet e 6 tetorit në Komisionin Qendror Zgjedhor të Kosovës.
Kur kanë mbetur më pak se 1 orë deri në përfundimin e afatit për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore, këto parti nuk prezantuar asnjë koalicion me ndonjë parti politike.
LDK e VV akoma po shqyrtojnë mundësitë, ani pse minimaliste, për të bërë ndonjë koalicion në minutat e fundit. Albin Kurti, gjatë ditës së sotme i ka bërë ofertë Isa Mustafës për të bërë koalicion, me kryeministër kushdo që fiton më shumë vota në një listë të përbashkët.
Por LDK nuk ka pranuar ofertën e VV-së duke e quajtur se një ofertë do të ngjallte garë mes dy partive pulitke. Nga LDK thanë se nuk duan të garojnë me VV-në, por me partitë që e kanë kapur shtetin.
Më herët, në KQZ dorëzuan aplikacionet për koalicione NISMA e AKR si dhe AAK me PSD, të cilët potencuan se besojnë që koalicioni i tyre do të dalë fitues.
Akoma nuk ka ndonjë sqarim për vonesën e PDK-së, kur dihet se partitë me të cilat mund të bënte ndonjë koalicion i kanë kryer procedurat. Afati për paraqitje të deklarimeve të partive përfundon në orën 23:59 minuta
Afati i sotëm nga KQZ është vetëm për koalicione parazgjedhore, ndërsa partitë politike mund të regjistrohen për këto zgjedhje deri më 6 shtator, atëherë kur zyrtarisht fillon fushata./Sinjali/