image Zhvendosja e pllakës përkujtimore për ushtarët serbë të vrarë në Luftën e Parë Botërore, reagojnë bashkë Franca dhe Gjermania

Kosovë

Zhvendosja e pllakës përkujtimore për ushtarët serbë të vrarë në Luftën e Parë Botërore, reagojnë bashkë Franca dhe Gjermania

news image

Ambasada e Gjermanisë dhe Ambasada e Francës në Kosovë kanë publikuar një deklaratë të përbashkët për shtyp për shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, duke reaguar kështu edhe lidhur me zhvendosjen e një pllake përkujtimore për ushtarët e vrarë serbë në atë kohë.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe ambasadori francez, Olivier Guérot i nderuan bashkë ushtarët gjermanë dhe ata francezë që atëherë kishin qenë armiqë. Kjo, siç thuhet në deklaratë, “mbart një mesazh të fortë pajtimi”.

Në deklaratë është përmendur se si kjo ceremoni vitin e kaluar “u njëllos nga një polemikë në media të caktuara në Kosovë për praninë e një pllake që u bënte homazhe ushtarëve serbë që vdiqën midis viteve 1912 dhe 1918”.

“Serbia dhe Franca ishin aleate gjatë Luftës së Parë Lufte boterore. Kjo polemikë ishte e padenjë për kujtimin e të gjithë ushtarëve: ushtarëve francezë, gjermanë dhe serbë të vdekur në Luftën e Parë Botërore, por edhe të 18 ushtarëve francezë që vdiqën gjatë shërbimit të tyre për KFOR-in, në mbrojtje të të gjitha komuniteteve të Kosovës”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

“Vendosja e një pllake të re që kujton sakrificën e të gjithë ushtarëve francezë në Kosovë ishte bërë me iniciativën e Ambasadës së Francës. Më pas, pllaka për homazh për ushtarët serbë është zhvendosur vetëm disa metra, me respektin më të madh pas informimit të Komunës. Asnjë trup i ushtarëve nuk u zhvendos. Kjo pllakë mbetet plotësisht e dukshme në të njëjtin vend, siç mund ta shohë çdokush në vend dhe në foton e bashkangjitur”, thuhet tutje në deklaratë.

Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë janë shprehur “të zhgënjyera” që ky gjest “u keqinterpretua dhe shkaktoi shfrytëzim politik”.

“Nderimi dhe respekti i bërë për kujtimet e ushtarëve tanë duhet të mbeten në qendër të këtij përkujtimi. Ambasada e Francës mbetet në kontakt me autoritetet përkatëse. Ne do të vazhdojmë t’u bëjmë homazhe të gjithë ushtarëve që vdiqën gjatë Luftës së Parë Botërore”, thuhet në deklaratë.

/GazetaSinjali/