image Zhduket 12-vjeçarja në Gjakovë, familja në ankth – tha se donte të shkonte në Shtëpinë e Fëmijëve

Siguri

Zhduket 12-vjeçarja në Gjakovë, familja në ankth – tha se donte të shkonte në Shtëpinë e Fëmijëve

news image

Një vajzë 12-vjeçare është raportuar e zhdukur në Gjakovë, ndërsa Policia ka nisur kërkimet për lokalizimin e saj, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një të mitur me inicialet A.K., zhdukja e së cilës është raportuar nga nëna e saj në Stacionin Policor në Gjakovë.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, 12-vjeçarja është larguar nga shtëpia pasditen e 14 korrikut, rreth orës 16:00, së bashku me motrën e saj më të vogël dhe një vajzë nga lagjja.

Gjatë natës, babai i saj ka arritur ta gjejë vetëm motrën e vogël pranë pompës së derivateve “HIB Petrol”, në rrugën “Gasper Karaqi”, ndërsa ajo i ka treguar se A.K. ishte larguar duke thënë se dëshironte të shkonte në Shtëpinë e Fëmijëve.

Familjarët kanë deklaruar se 12-vjeçarja nuk ishte larguar asnjëherë më parë nga shtëpia dhe, sipas tyre, nuk kishte pasur probleme që do të shpjegonin largimin e saj.

Burimet e Sinjalit mësojnë se mëngjesin e 15 korrikut, rreth orës 07:00, një i afërm i familjes e kishte parë të miturën së bashku me vajzën e fqinjit në rrugën “UÇK” në Gjakovë, kishte komunikuar shkurt me to, por ato kishin vazhduar rrugën.

Policia e Kosovës ka iniciuar rastin “Person i zhdukur” dhe po vazhdon kërkimet për gjetjen e 12-vjeçares.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/