image Zgjerohen hetimet ndaj personave që rrëmbyen 28-vjeçarin në Prizren, bastisen tri shtëpi-arrestohen katër të dyshuar - Sinjali

Detaje/ Zgjerohen hetimet ndaj personave që rrëmbyen 28-vjeçarin në Prizren, bastisen tri shtëpi-arrestohen katër të dyshuar

news image

Për rrëmbimin e shtetasit turk Recep Atsan 28 vjeçar, i cili u mbajt i mbyllur për katër ditë në një shtëpi në Prizren, policia kishte arrestuar vëllëzërit, Abdulah dhe Yusuf Morina.

Rrëmbimi kishte ndodhur në shtator të vitit të kaluar dhe pasi ngjarja u zbulua, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata Themelore e Prizrenit u kishte caktuar nga një muaj paraburgim vëllëzërve Morina.

Ndaj tyre policia dhe prokuroria kishin zgjeruar hetimet, sot pas realizimit të një operacioni të gjerë, në tri shtëpi në fshatin Hoqe e Qytetit dhe në dy shtëpi në Mamushë, janë gjetur dhe sekuestruar:

“Material i gatshëm për printim të kartëmonedhave prej 50 dollarësh (mijëra copë)

Vija identifikuese për kartëmonedha në “dollar”

Shirita të sigurisë për kartëmonedhe në “dollar”

Një makinë që dyshohet se mund të përdoret për prerje te bankënotave

Një qese substancë e dyshuar për marihuanë 0.5 gram

Një automjet i cili ka qenë i involvuar dhe përdorur nga të dyshimtit”, njofton policia, transmeton Gazeta Sinjali.

Pas realizimit të urdhër-kontrollit dhe gjetjen e elementeve të dyshimta të veprave penale, me aktvendim të prokurorit të shtetit, në afat prej 48 orësh janë ndaluar të dyshuarit:

A.M i lindur ne vitin 1977, Turk/Kosovar

Y.M i lindur në vitin 1991, Turk/Kosovar

L.B i lindur në vitin 1987, Shqiptar/Kosovar

B.B i lindur në vitin 1986, Shqiptar/Kosovar

“Lidhur me këtë rast një person tjetër është në kërkim nga hetuesia rajonale dhe rasti aktualisht është nën hetime. Për rastin rrëmbim janë duke i zhvilluar hetimet rajonale të policisë, ndërsa rasti i falsifikimit dhe gjetjes së narkotikëve hetimet po zhvillohen nga njësite e specializuara të Policisë së Kosovës”, përfundon njoftimi i policisë. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin