Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka bërë homazhe sot para varrit të Presidentit Ibrahim Rugova në Velani. Ai me këtë rast është përkulur para varrit të presidentit historik të Kosovës si dhe ka vizituar familjen Rugova.
Haradinaj me këtë rast ka thënë se vizioni politik i presidentit Rugova përveç që është vlerë e patjetërsueshme, shërben edhe si pikënisje, se sovraniteti dhe integriteti i shtetit, janë parime të paprekshme dhe të panegociueshme.
“Në shenjë nderimi për angazhimin e tij jetësor për shtet të pavarur e paqësor, si dhe orientimin properëndimor të Kosovës, sot, kam bërë homazhe te varri i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Poashtu, në një vizitë miqësore ndava disa çaste me familjen e respektuar Rugova, një traditë e marrëdhënies së mirë dhe e respektit të ndërsjellë.
Vizita e Haradinajt te varri i Rugovës bëhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend dhe në kohën kur po ndodhin rigrupime parazgjedhore mes partive politike. Së fundi është riaktualizuar tema se kush nga politikanët kosovarë jashtë Lidhjes Demokratike është përkulur para varrit të Rugovës. Përveç Ramush Haradinajt një gjë të tillë e kishte bërë edhe Hashim Thaçi dikur rival i ashpër politik ndaj Rugovës dhe Lidhjes Demokratike. Një gjë të tillë ende nuk e ka bërë lideri i Vetëvendosjes i cili e ka trajtuar këtë cështje ma shumë si simbolikë. Por Kurti ditë më parë e kujtoi Xhemail Mustafën njeriun më të afërt të Rugovës me rastin e përvjetorit të vrasjes duke e vlerësuar lartë kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e vendit. /Sinjali/