image Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: Kandidatja opozitare shpalli fitoren - krejt çka dihet deri më tani

Rajon

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: Kandidatja opozitare shpalli fitoren – krejt çka dihet deri më tani

news image

Kandidatja e partisë opozitare, Gordana Silanovska-Davkova, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut më 8 maj, përderisa kundërkandidati i saj, Stevo Pendarovski, pranoi humbjen.

Më 8 maj, Maqedonia e Veriut mbajti zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, në të cilat të drejtë vote kishin 1.8 milion qytetarë.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Davkova ka fituar mbi 65 për qind të votave, ndërkaq Pendarovski ka arritur të marrë rreth 30 për qind të votave.

Bazuar në rezultatet e KSHZ-së për Davkovkën kanë votuar mbi 65 për qind e votuesve ndërsa Pendarovski ka arritur të merr rreth 30 për qind të votave.

VMRO-ja po ashtu po prin në zgjedhjet parlamentare, që po ashtu u mbajtën të mërkurën.

“Qytetarët bënë zgjedhjen e duhur. Duhet të përpiqemi t’i japim fund vullkanizimit, të ndihmojmë njëri-tjetrin. Do të bëj gjithçka për të mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare”, tha ajo në adresimin e parë pas zgjedhjeve.

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, ndërkaq, tha se rezultatet janë të qarta, duke i uruar fitoren kundërkandidates së tij.

“Koncepti im për një Maqedoni multietnike, plotësisht të integruar në strukturat euroatlantike, fatkeqësisht nuk mori mbështetjen e shumicës nga qytetarët. Megjithatë, jam thellësisht i bindur se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë një shtet i begatë dhe demokratik”, tha Pendarovski.

Dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte 46.31 për qind e trupit votues.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, sipas rezultateve paraprake, VMRO po udhëheq e me rreth 40 për qind të votave të fituara.

Në vend të dytë është radhitur Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me rreth 17 për qind të votave, ndërsa në vend të tretë radhitet koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, i cili ka fituar mbi 14 për qind të votave.

Koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, që aktualisht është në pushtet, radhitet në vendin e katërt me mbi 13 për qind të votave.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në zgjedhjet parlamentare ishte 53.15 për qind, ndërsa qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri prej 120 ulëseve, raporton REL.

Në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajt më 24 prill, Davkova udhëhoqi bindshëm me një diferencë prej 20 për qind të votave në krahasim me kundërkandidatin e saj socialdemokrat Pendarovski.

/GazetaSinjali/