image Zgjedhjet lokale në Kosovë i fitoi opozita, partia në pushtet do të udhëheqë vetëm në 4 komuna

Zgjedhjet lokale në Kosovë i fitoi opozita, partia në pushtet do të udhëheqë vetëm në 4 komuna

news image

Sot në Kosovë u mbajt rundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku fitoi opozita. LDK triumfoi në Prishtinë, ndërsa PDK në Prizren, derisa partia në pushtet, Vetëvendosje fitoi garën në vetëm katër komuna, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në komunën e Kamenicës me kandidatin Kadri Rahimaj, në Podujevë me Shpejtim Bulliqin, në Shtime me Qemajl Aliun dhe në Gjilan me Alban Hysenin.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Prishtinë me Përparim Ramën, në Istog me Ilir Feratin, në Fushë Kosovë me kandidatin Burim Berisha, në Junik me Ruzhdi Shehun dhe në Viti me Sokol Halitin.

Partia Demokratike e Kosovës fitoi Komunën e Prizrenit me kandidatin Shaqir Totaj, Gllogocin me Ramiz Lladrovcin, Dragashin me Shaban Shabanin, Kaçanikun me Besim Ilazin dhe Vushtrrinë me Ferit Idrizin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi në Gjakovë me Ardian Gjinin, në Klinë me Zenun Elezajn dhe në Rahovec me Smajl Latifin.

Ndërkaq Nisma Social Demokrate arriti fitore në Malishevë me Ekrem Kastratin. Në komunën e Obiliqit zgjedhjet në rundin e dytë i fitoi Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin.

Në komunën e Mamushës fitore arriti Abdulhadi Krasniq nga KDTP. Ndërkaq në komunën e Kllokotit balotazhin e fitoi Vladan Bogdanoviq nga Lista Serbe.

Deri në orën 19, përkatësisht deri në mbylljen e vendvotimeve, në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë kanë votuar rreth 38 për qind të votuesve.

Pas shpalljes së rezultateve preliminare, në ditët në vazhdim pritet numërimi edhe i votave me kusht dhe votave që kanë ardhur prej jashtë vendit.

Rundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale u mbajtën më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Në këtë rund, nga 38 komuna sa janë në Kosovë, 17 zgjodhën krerët e rinj.

/GazetaSinjali/