Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka nisur periudha e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Kjo periudhë aplikimi do të përfundojë më 13 gusht, ndërsa KQZ ka njoftuar se do të mundësojë aplikimin online për të lehtësuar procesin. Të gjitha partitë politike të regjistruara dhe koalicionet që janë të deklaruara, do të mund të aplikojnë përmes platformës online, përmes ‘userëve’ që do t’u krijojë dhe dërgojë Zyrat për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP). Aplikantët do të kenë mundësinë të ngarkojnë aplikimet e tyre direkt në sistem.
Po ashtu, subjekteve politike si nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur që duan të aplikojnë për certifikim, KQZ do t’u krijojë ‘user’ të veçantë për të pasur akses në platformën e aplikimit.
Për të ndihmuar në përdorimin e platformës, KQZ ka organizuar dy tavolina ndihmëse dhe ka vënë në dispozicion një numër kontakti, 038 200 81 010, të cilin mund ta kontaktoni çdo ditë nga ora 08:00 deri në orën 16:00.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!