Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard R. Verma, ka shkuar në Qeveri, ku pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ky i fundit arriti në Qeveri pak para Vermës, nga konferenca e organizuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCA Kosova).
Ndërkaq, Osmani pas takimit që pati me zyrtarin amerikan tha se i është konfirmuar se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.
“Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zv.Sekretarin amerikan Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, ka shkruar ajo në Facebook.