image Bëhen kallaballëk zëvendësministrat në Qeverinë Hoti, së fundi u emërua Muhamet Gashi

Kosovë

Bëhen kallaballëk zëvendësministrat në Qeverinë Hoti, së fundi u emërua Muhamet Gashi

news image

Muhamet Gashi është njëri nga zëvendësministrat e shumtë në Qeverinë Hoti. Në bazë të një vendimi, ai duket se është i emëruari i fundit i Qeverisë së Kosovës në këtë pozitë.

Gashi më 14 korrik është emëruar zëvendës i ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashit, duke u bërë një nga më shumë se 46 zv/ministrat që i ka Qeveria Hoti.

Numri i zëvendësministrave ka shkuar nga një deri në pesë për ministri.

Gjatë fushatës zgjedhore, LDK, përmes kandidates për kryeministre, Vjosa Osmanit e kishte nënshkruar Deklaratën e Zotimeve për Qeverisje të Mirë, duke u zotuar që do ta kufizojë numrin e zëvendësministrave në maksimumi dy për ministri.

Kësisoj, Qeveria aktuale si duket po i lakmon ish-Qeverisë Haradinaj, ku ishin punësuar mbi 70 zëvendësministra. Ky numër ky vazhdimisht është kritikuar nga përfaqësues të shoqërisë civile me konstatimin se përveç që e dëmton buxhetin e Kosovës, e bën jofunksionale edhe punën e qeverisë.

Në maj të vitit 2019, numri i lartë i zëvendësministrave ishte përmendur si vërejtje edhe në Raportin e Progresit për Kosovën, të cilin e harton Bashkimi Evropian.

“Madhësia e tepruar e qeverisë, duke përfshirë rritjen e mëtejshme të numrit të zëvendësministrave, ka vazhduar të ndikojë në kredibilitetin dhe efektivitetin e saj”., thuhej ndër tjerash në këtë raport. /Gazeta Sinjali