Andi Zeqiri ka qenë futbollisti më i komentuar i ndeshjes, Zvicër – Kosovë, ndërsa ky i fundit luajti për disa minuta në këtë përballje.
Sulmuesi i kishte thënë ‘po’ Kosovës fillimisht, por pastaj ndryshoi mendim duke u bashkuar me Zvicrën.
Sot në shkallët e stadiumit kishte thirrje kundër tij, por edhe banderola, gjë që thotë se i ka marr me sportivitet, pasi e kupton që ‘Dardanët’ i duan lojtarët më të mirë te Kosova.
Në një prononcim pas ndeshjes për Telegrafin, ai ka folur për vendimin e tij që të bashkohet me Zvicrën dhe për ndeshjen e sotme.
“Unë i kuptoj tifozët sepse ata duan lojtarët më të mirë për Kosovën. Unë jam shqiptar nga Kosova dhe në çdo vit vij në Ferizaj. Ka qenë vendim i imi për ta prezantuar Zvicrën, por gjithmonë do të jem një djalë i Kosovës dhe do t’i gëzohem suksesit të Kosovë gjithmonë, sikurse të Zvicrës ku edhe luaj”, është shprehur Zeqiri.
Ai gjithashtu ka theksuar se thirrjet dhe banderolat e tifozëve i ka marrë me sportivitet.
“Ka qenë një ndeshje shumë emocionuese. Thirrjet dhe banderolat e tifozëve i kam marr me sportivitet, pasi jam një lojtar profesionist. Fanellën nuk e ndërrova me asnjë lojtarë të Kosovës, pasi është shumë e rëndësishme për mua, sepse vjen nga një ndeshje si ajo Zvicër – Kosovë”, ka thënë Zeqiri për Telegrafin.
Sulmuesi aktualisht luan te Augsburgu në Gjermani, nga ku është huazuar nga Brighton.