Izolimi për shkak të coronavirusit nuk e ndaloi klubin e Zenitit të Shën Petërburgut që të ndajë ashtu si zakonisht çmimin e lojtarit të muajit, që këtë herë shkoi për mesfushorin brazilian Malcom.
E veçanta e ndarjes së çmimit është se ai ju dorëzua futbollistit nëpërmjet një droni në shtëpinë e tij. Në videon e shpërndarë nga klubi rus, Malcom sqaroi për tifozët se si iu kërkua nëpërmjet një mesazhi që të hapte dritaren e apartamentit të tij dhe një dron i dorëzoi futbollistit trofeun e fituar për paraqitjet e tij me klubin muajin e shkuar.
Në muajin mars, Malcom luajti 3 ndeshje për Zenitin duke shënuar 1 gol dhe duke dhuruar një asist ndërkohë që aktualisht kampionati rus është ndërprerë si pasojë e pandemisë së Covid 19.
Malcom gjithashtu dha dhe një mesazh në momentin e marrjes së çmimit duke falënderuar të gjithë tifozët e klubit të zenitit që e votuan dhe duke i kërkuar që të qëndrojnë të sigurt në shtëpitë e tyre.