Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj është duke raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e situatës me COVID-19, raporton Gazeta Sinjali.
Zemaj para komisionit ka thënë se situata është nën kontroll me numrin e të infektuarve dhe përhapjes së pandemisë.
Por, sipas tij, numri i personave të vdekur si pasojë e COVID-19 është shqetësuese, përcjellë Gazeta Sinjali.
Për Ministrin e Shëndetësisë, sfidë mbetet furnizimi me oksigjen i klinikave ku po trajtohen persona.
“Kemi stagnim të përhapjes së virusit pas respektimit të rasteve që i kemi marrë dy javët e fundit. Edhe sot presim ulje të numrit të të infektuarve por ajo çka na mbetet për t’u shqetësuar është numri i vdekjeve. Oksigjeni është shumë sfidues dhe menaxhimi i oksigjenit në klinika për shkak të numrit të të hospitalizuarve. Vaksinat për 20% të popullatës do të na jepen falas ndërsa për pjesën tjetër të nevojshme për popullatën Qeveria apo Ministria do ta blejë vet. Ministria po punon për sigurimin e vaksinës ndërsa IKSHPK po punon në sigurimin e aparaturës për ruajtjen e vaksinës. Në javën e parë të dhjetorit kemi shpërndarë edhe 7 aparatura PCR, një për IKSHPK dhe gjashtë për Qendrat Rajonale. Edhe aparaturat janë blerë për testimet serologjike për matjen e imunitetit të popullatës”, ka raportuar Zemaj.