image Zemaj: Sot kemi rënien më të madhe të rasteve me COVID-19

Shëndetësi

Zemaj: Sot kemi rënien më të madhe të rasteve me COVID-19

news image

Sot do të ketë rënie të numrit të rasteve me koronavirus në Kosovë, kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Pavarësisht se ditëve të fundit ka pasur rënie të rasteve me COVID-19, masat restriktive në vend nuk pritet të largohen, përkundër kërkesës së sotme të gastronomëve për zgjatje të orarit të punës deri pas mesnatës.

Zemaj theksoi se primare është ruajtja e shëndetit dhe jetës së njerëzve.

 “Jemi në vlerësim të situatës epidemiologjike. Ju lutem të na mirëkuptoni edhe ju dhe të gjithë të tjerët. Numri i rënies së rasteve sot mund të themi kushtimisht se është numri më i lartë i rënies së rasteve. Po shkojmë drejt një përmirësimi cilësor. Por kjo nuk duhet të na jep komoditetin të lirohemi dhe kalojmë në nivel tjetër… pavarësisht presionit apo interesave që janë edhe të domosdoshme t’i quajmë të afaristëve, gastronomisë dhe sportistëve e të gjithë të tjerëve. Për mua dhe MSH e rëndësishme është ruajtja e shëndetin dhe jetës së njerëzve”, tha ai.

Krahas kësaj, Zemaj gjatë monitorimit që i bëri të mërkurën procesit të intervistimit të kandidatëve për specializime tha se laboratorët privat që kryejnë teste serologjike dhe RT-PCR raportojnë në mënyrë të rregullt për rastet ditore.

 “Ka raporte zyrtare që dërgojnë laboratorët privatë, në aspektin shkencor dhe të statistikave mendoj që aty duhet të merrni informacionet, ose zyrën tonë për komunikim. Çka është me rëndësi është se janë duke raportuar në mënyrë të rregullt për numrin sasinë dhe gjitha ato. E po ashtu janë institucione tjera që janë brenda dhe jashtë ministrisë që kanë detyrë dhe obligim t’i monitorojnë të zbatojnë ligjet në fuqi”, tha ai.

Sa i përket specializimeve, Zemaj tha se nga viti tjetër do të ketë specializime të rregullta.

Sot ka nisur intervistimi i kandidatëve për specializime të konkursit të shpallur nga Bordi për Shkollim Specialistik i Ministrisë së Shëndetësisë. /Gazeta Sinjali/