Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se rritja e mëtejme e numrit të rasteve të të infektuarve me koronavirus në Kosovë është shqetësim, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka kërkuar mobilizim të të gjithë mekanizmave shtetërorë për të qenë në krye të detyrës.
“Përkushtimi duhet të vazhdoj edhe më tej nga secili, ashtu siç kanë punuar dhe po vazhdojnë të punojnë me përkushtim që nga fillimi i pandemisë vullnetarët në Qendrën e thirrjeve falas pranë IKShPK-së. Është për çdo respekt puna dhe përkushtimi i kësaj ekipe, mjekë dhe apsolventë të Fakultetit të Mjekësisë”, ka shkruar ndër të tjera ministri Zemaj.
Kujtojmë se, sot në Kosovë është shënuar rekord i ri i të infektuarve me COVID-19. Nga gjithsej 1 mijë e 617 mostra të testuara, 661 prej tyre kanë rezultuar pozitive, ndërsa janë raportuar 6 raste të vdekjes dhe 91 të shëruar. /Gazeta Sinjali/