Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka vizituar sot Klinikën e Kirurgjisë Torakale, nga ku ka premtuar se pavarësisht që pandemia e COVID-19 mund të ashpërsohet, asnjë pacient nuk do të lihet anash dhe se të gjithë do të marrin trajtimin e duhur.
Zemaj ka deklaruar se ministria që ai udhëheq, është duke u kujdesur për kthimin e tërësishëm të stafit mjekësor, në mënyrë që edhe pacientët që nuk janë prekur nga koronavirusi të marrin shërbimet e nevojshme.
“Në luftën aktuale kundër pandemisë COVID-19 personeli ynë shëndetësor është përballur me vështirësi edhe me infeksion, por është dashur që të reduktojmë stafin në nivele të ndryshme, ndërsa tani po mendojmë që t’i fuqizojmë të gjitha kapacitetet, t’i kanalizojmë veprimet tona në aspekt të dukshëm dhe të ofrojmë shërbime për qytetarët e vendit, krahas luftimit të pandemisë. Lufta jonë nuk është vetëm kundër pandemisë, është përmirësimi dhe avancimi i shërbimeve shëndetësore”, ka thënë ai./Gazeta Sinjali/