Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur rreth gjendjes aktuale në sektorin e shëndetësisë dhe dorëheqjen e Rifat Latifit nga posti i ministrit të Shëndetësisë.
Zemaj ka thënë se s’ka shpresë në përmirësimin e shëndetësisë nga Qeveria e Albin Kurtit.
Sipas tij nga emërimet e kryeministrit Kurti ka pasur vetëm përkeqësim në menaxhimin e sektorit të shëndetësisë.
“I dyti më i dobët se i pari. I treti, që është Albin Kurti, më i dobët se i dyti”, tha Zemaj.
Zemaj ka folur edhe për ish-ministrat Arben Vitia dhe Rifat Latifi, duke thënë se largimet e tyre e përshkruajnë edhe situatën e tanishme.
“Kur njëri hesht deri në pafundësi, ndërsa tjetri [ministër] thotë se ndërhyrjet janë toksike, çfarë mund të themi ne si opozitë”, shtoi ai.
Deputeti i LDK-së në “Frontal” thotë se ministri i fundit, Rifat Latifi, ka pasur vazhdimisht ndërhyrje nga kryeministri Kurti gjatë drejtimit të ministrisë së Shëndetësisë.