Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se më 17 mars del kontingjenti i vaksinave antiCOVID të prodhuara për Kosovën, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Zemajt, nesër do të fillojnë përgatitjet për Qendrën e Vaksinimit e cila do të jetë salla “1 tetori” në Prishtinë.
“Ne nesër do t’i fillojmë përgatitjen e Qendrës së Vaksinimit, që do të jetë salla “1 tetori”. Të shohim ju kemi afruar datës për ardhjen e kontingjentit të parë të vaksinave. Më datën 17 del kontingjenti i prodhuar për Kosovën. Është më pas çështje ditësh, transporti dhe gjithçka do të jetë e gatshme për arritjen e 33 mijë e 600 dozave të para, do të vijnë edhe 66 mijë e 900 të tjerat”, tha ai në Klan Kosova.
Ai po ashtu tha se komunikimi me prodhuesit për blerjen aktive është i vazhdueshëm dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm deri në gjetjen e një rruge të mirë në përfundimin e këtij procesi.
Gjithashtu, ai ka komentuar thirrjen për vaksinimin e mjekëve nga Kosova të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
Zemaj tha se kjo thirrje është bërë nga shteti shqiptar në formën humanitare.
Ai theksoi se sipas konfirmimit zyrtar nga ana e homologes së tij shqiptare Ogerta Manastirliu, janë 50 vaksina për profesionistët shëndetësor kosovarë.
“Jo nuk ka shkresë zyrtare. Ne kemi qenë dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me homologët tanë, me ministrat e Shëndetësisë së rajonit, në këtë aspekt edhe ministrin e Shëndetësisë së Shqipërisë. Ka dy-tri ditë që na janë adresuar me një kërkesë humanitare që ne mund t’i dërgojmë në Kukës për vaksinim disa mjekë apo profesionistë shëndetësor që janë në përballje direkt me pandeminë COVID-19. Sigurisht që në aspektin humanitar ne e çmojmë. Tani është ofruar edhe data e ardhjes së vaksinave. Unë i shpreh falënderime e mia”, tha ai./Gazeta Sinjali/