Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se rënia e numrit të të infektuarve dhe vdekjeve nga COVID-19 i ka lehtësuar të gjithë, posaçërisht stafin shëndetësor, por ka shtuar se akoma duhet shumë kujdes.
Zemaj në disa raste është kritikuar për menaxhimin e situatës me pandeminë, por ai ka thënë se përpos që nuk ka qenë koha për kritika, vetë ai nuk është marrë me to.
Tutje, ai tha se po provojnë që deri në muajin dhjetor të sigurojnë 500 mijë vaksina kundër gripit sezonal.
“Kemi siguruar një numër të konsiderueshëm të vaksinave që në krahasim me vitin e kaluar është më i lartë. I posedojmë 160 mijë e 500 vaksina që në fund të këtij muaji do të shpërndahen, derisa pjesa tjetër është në proces të sigurimit. Gjatë dhjetorit presim edhe pjesën tjetër. Presim që të sigurojmë 500 mijë vaksina kundër gripit sezonal që është bukur e vështirë, sepse mungesa e tyre është evidente në tregun evropian”, tha Zemaj në Klan Kosova.
Ndërsa, sa i përket mundësisë që Kosova të rikthehet në karantinë, ministri Zemaj tha se kjo mund të ndodhë vetëm nëse “e humbim kontrollin e kujdesit”.
“Në karantinë mund të na kthejë vetëm nëse ne e humbim kontrollin e kujdesit. Për këtë arsye, secila hapje është bërë me masat e vlerësimit dhe mbikëqyrjes. Ne do t’i shtojmë këto ditë, sepse në lëvizje nëpër komuna të ndryshme e kam parë se nuk po mbahet partneriteti dhe devotshmëria për respektim të masave që janë vendosur nga Qeveria e Kosovës. Këto ditë do ta shtojmë komunikimin me Inspektoratin Sanitar dhe Policisë së Kosovës dhe do të kërkoj zbatim strikt të masave”.
“Çdo rritje e numrit të infeksioneve mund të na kthejë në aspekte restriktive që mund të nënkuptoj mbyllje, izolim, apo kufizim të lirisë së lëvizjes. Nuk do të kemi asnjë pardon, sepse për mua primare është ruajtja e shëndetit publik”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/