image Zemaj nuk do të raportojë nesër në Komisionin për Shëndetësi, ky është arsyetimi i tij

Shëndetësi

Zemaj nuk do të raportojë nesër në Komisionin për Shëndetësi, ky është arsyetimi i tij

news image

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka refuzuar pas një jave ftesën e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për raportim, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj, e cila tha se ai e ka refuzuar ftesën duke e dhënë arsyen për shkak të agjendës të tij.

“Po e ka refuzuar ftesën, ai e ka dhënë arsyen për shkak të agjendës nuk mundet me ardhë kësaj here, të martën apo për nesër për raportim”, tha Reshitaj.

Po ashtu, ajo u shpreh se kjo kërkesë i është bërë ministrit Zemaj para një jave, por ai sot e ka kthyer përgjigjen e tij, dhe i njëjti i është shprehur negativisht kësaj ftese.

“Ne javën e kaluar ia kemi dërguar kërkesën apo më saktësisht të martën, dhe ne sot e kemi marrë përgjigjen nga ana e tij i cili ka thënë që nuk mundet me ardhë për shkak të agjendës”.

Reshitaj u shpreh se Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale pret që nesër Zemaj të vijë në këtë raportim, pasi gjendja e pandemisë është e jashtëzakonshme.

“Ne presim me ardhë ai nesër, pasi e ka përgjegjësi, sepse kemi mi diskutu vendimet e fundit që janë ndërmarrë, edhe vendimin e SHSKUK-së që ka marrë për pezullimin e punës me ambulanta, po ashtu na intereson nëse ka qenë ne bashkërendim me vendimin e fundit të qeverisë, kështu që neve na intereson me pasë në raportim ministrin sepse është situatë e jashtëzakonshme dhe normalisht duhet të jemi të informuar”,  tha tutje ajo.

Ndryshe, ministri Zemaj sot gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës u kritikua mjaftë për shkak të menaxhimit të pandemisë COVID-19.

/Gazeta Sinjali/