Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka reaguar pas alarmit që dha sot Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës, se në Klinikën Infektive nuk ka vend për pacientë të tjerë me koronavirus.
Zemaj e mohoi një gjë të tillë dhe tha se situata me koronavirus është nën kontroll.
Ministri i cili sonte ka dalë bashkë me inspektorët komunalë të inspektojë kafenetë e Prishtinës përsëriti se nuk do të amnistohen shkelësit e ligjit dhe se nuk do të lejojë që të njëjtit të kthejnë masën e izolimit.
“Rastet janë rritur nga lirimet që kanë ndodhur nga fillimi i muajit. Po tentojmë ta menaxhojmë situatën. Është nën kontroll të plotë. Ka pak keqinformim sa i përket menaxhimit të klinikave dhe mbipopullimit, nga ata që duan ta interpretojnë në atë formë. Sonte po mbështes inspektorët sanitarë. Kam paralajmëruar se s’do të ketë falje për shkelësit e ligjit e s’do të lejojmë që ata të na kthejnë në izolim. S’është e vërtetë që Klinika Infektive s’ka vende. S’është e vërtetë që QKUK-ja është para kolapsit. Janë gënjeshtra e manipulime të dashakeqëve. Kemi vende të mjaftueshme, por dhashtë Zoti të mos kemi nevojë për vende. Kemi shtretër, respiratorë, staf të përgatitur profesional që po bën punën maksimalisht 24 orë me përkrahjen e MSH-së, Qeverisë së Kosovës dhe akterëve të tjerë”, tha Zemaj para mediave.
Sot gjatë ditës, QKUK alarmoi se momentalisht në Infektivë janë të shtruar 111 pacientë të prekur me koronavirus./Gazeta Sinjali/