Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka pranuar se lista e barnave esenciale nuk i përmbush nevojat aktuale, por tha se do të ketë një angazhim për rishikimin e kësaj liste.
Ai bëri të ditur se janë në proces të përbashkët me Bashkimin Evropian për sigurimin e barnave nga lista esenciale.
“Me një fjalë është një angazhim permanent dhe është në interes revidimi i listës esenciale. Këto janë barna të kushtueshme dhe ne kemi një proces të përbashkët me BE-në për sigurimin e tyre. Komisioni Evropian kryen prokurimin, ndërsa ne jemi pjesë të saj dhe do të na ndahen aq sa kemi nevojë”, u shpreh Zemaj në Kanal 10.
Ai po ashtu tha se janë në proces të blerjes së barnave kundër COVID-19, duke mos dhënë më shumë detaje.
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar tri viktima dhe 118 raste të reja me koronavirus. Numri total i rasteve pozitive është 17.009, nga 80.886 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 656 raste të vdekjes. /Gazeta Sinjali/