Ish-ministri i Shëndetësisë, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se thirrja e opozitës që situata pandemike në Kosovë të menaxhohet më mirë, ka hasur në vesh të shurdhër.
Zemaj ka thënë se e ka lutur kryeministrin Albin Kurti që t’i kthehet punëve në luftën kundër virusit Covid-19.
“Thirrja jonë, sidomos kohëve të fundit, për vetëdijen e menaxhimit të situatës pandemike ka hasur në vesh të shurdhër. Edhe në aspektin profesional, para disa ditësh e kam lutur kryeministrin e Kosovës që t’i kthehet punëve, ose së pari të kthehet dhe të punojë në menaxhimin e situatës pandemike sepse varianti i ri Delta është përhapur në botë dhe Evropë”, ka thënë Zemaj në T7.
Më tutje, Zemaj tha se bazuar në numrin e rasteve që janë shënuar sot në Kosovë, në vend numri i të infektuarve është trefish më i lartë.
“Qytetarët duhet ta dinë që ne e kemi një popullatë e cila në përqindje të madhe ka kaluar përmes procesit të infektimit. Po ashtu nja 10% e popullatës edhe kjo me një neglizhencë të theksuar tashmë janë vaksinuar. Numri prej 888 të infektuar përveç sot, kur përkthehet në shifra reale është trefishi i infeksionit që është duke qarkulluar në Kosovë”, ka thënë ai./Gazeta Sinjali/