Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se 75 për qind e popullatës do të vaksinohen kundër koronavirusit, me vaksinën që ka paralajmëruar se do të vijë në shkurt.
Në një deklaratë për ekonomiaonline, Zemaj ka thënë që deri në qershor “do të kemi një numër të konsiderueshëm të vaksinuarve të qytetarëve të Kosovës”.
“Sipas planit të imunizimit dhe atë që ka përcaktuar IKSHPK-ja, ne pretendojmë që të vaksinojmë më shumë se 75% të popullatës dhe kjo nënkupton 2 milionë e 700 mijë doza për vaksinim në faza të ndara dhe me sigurimin e kushteve dhe kritereve që duhet të përmbajë përdorimi i një vaksine shpresojmë që kjo dinamikë do të plotësohet në komplet vitin 2021. Por ne do të fillojmë me grupe të cilat konsiderohen pjesa e moshuar, të sëmurët kronik dhe personeli shëndetësor”, ka thënë ai duke shtuar se stafi është trajnuar dhe se do të përgatiten vende adekuate për vaksinim.
Në fillim të janarit, Zemaj kishte njoftuar se kanë siguruar 500 mijë doza të vaksinës antiCOVID nga Pfizer.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kishte njoftuar edhe për marrëveshje me Austrinë për 600 mijë vaksina, si dhe programin COVAX për rreth 700 mijë vaksina. /Gazeta Sinjali/