image Zelensky: Ukraina duhet të bëhet pjesë e NATO-s, e kemi dëshmuar veten në luftë

Botë

Zelensky: Ukraina duhet të bëhet pjesë e NATO-s, e kemi dëshmuar veten në luftë

news image

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur thirrjen që vendi i tij të anëtarësohet në NATO, duke deklaruar se Ukraina tashmë ka dëshmuar se është një nga vendet me kapacitetet më të avancuara ushtarake në Evropë.

Duke folur në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes në kuadër të samitit të NATO-s në Ankara, Zelensky tha se Ukraina nuk është më vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese në mbrojtjen e Evropës.

“A mendoni vërtet se është e drejtë të lihet jashtë NATO-s një vend me këtë nivel të aftësive mbrojtëse? Anëtarësimi i Ukrainës do ta bënte aleancën më të fortë”, deklaroi ai, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

Sipas presidentit ukrainas, përvoja e fituar në fushëbetejë dhe zhvillimi i teknologjive ushtarake, veçanërisht dronëve, e kanë shndërruar Ukrainën në një faktor të rëndësishëm për sigurinë evropiane.

Zelensky theksoi se forcat ukrainase kanë arritur të godasin objektiva strategjikë thellë brenda territorit rus, duke përfshirë edhe rafineri nafte mijëra kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Ai shtoi se sfida kryesore mbetet mbrojtja ajrore kundër raketave balistike, duke kërkuar më shumë sisteme amerikane Patriot dhe duke u bërë thirrje vendeve evropiane të zhvillojnë sa më shpejt alternativat e tyre.

Deklaratat e tij vijnë pavarësisht qëndrimit të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka përjashtuar mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Zelensky pritet ta ngrejë sërish këtë çështje dhe të kërkojë më shumë mbështetje ushtarake gjatë takimit me Trump në Ankara.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/