Gazeta Sinjali raportoi sot se Gjykata e Apelit e ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore për ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja duke e dënuar vetëm për një vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe duke i shqiptuar dënim plotësues në rastin e njohur si “Feronikeli”.
“Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur lidhur me ankesat në rastin e të akuzuarit Sh. B. etj. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 18.09.2020, është ndryshuar. I akuzuari Sh.B. është gjetur fajtor vetëm për një vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Buja është dënuar për nxjerrjen e urdhëresës për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “New Co Ferronikel Complex L.LC”.
Për këtë vepër, Apeli i ka shqiptuar dënim me 1 vit burgim dhe dënim plotësues në ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitëve.
Dënimi plotësues do të fillojë të ekzekutohet pas përfundimit të mbajtjes së dënimit me burgim.
Për dallim nga kjo pikë dënuese e aktgjykimit, Apelit ka konstatuar se disa pika të tjera janë parashkruar.
“Për veprat penale nga pikat I, I.1, I.2, I.3, I.4 dhe III të pjesës dënuese ndaj të akuzuarve Sh.B. , H.G. dhe B.R. lidhur me veprën penale nga pika I e pjesës liruese ndaj të akuzuarës M.S., aktakuza është refuzuar, për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit të ndjekjes penale. ”
Më 18 shtator të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte gjetur fajtor Shukri Bujën dhe e kishte dënuar me 2 vjet burgim, duke e obliguar t’i kompensojë palës së dëmtuar 78 mijë euro.