Një zyrtar i lartë i inteligjencës është arrestuar në Kanada dhe është akuzuar se ka zbuluar informacione të klasifikuara ndaj një entiteti të huaj, ende të paspecifikuar. Cameron Jay Ortis, drejtor i përgjithshëm i njësisë së inteligjencës në Policinë Mbretërore të Kanadasë, doli para gjykatës për t’u përballur me akuzat.
Prokurorët thanë se Ortis po akuzohet për posedim, ruajtje dhe përpunim të informacionit të klasifikuar, me qëllim që këtë informacion ta ndajë me një entitet të huaj.
Media kanadeze, Globe and Mail raportoi se njëri prej rasteve të profilit që Ortis kishte punuar ishte hetimilidhur me atë se nëse paratë e rastit të madh të korrupsionit rus – që fillimisht ishte zbuluar nga avokati Sergei Magnitsky – ishin dërguar në Kanada.
Bill Browder, kreu i Hermitage Capital, që kishte punësuar Magnitskyn, ka shkruar në Twitter se arrestimi i Ortis ishte lajm “i pabesueshëm”. Magnitsky vdiq në një burg rus më 2009, pasi kaloi 11 muaj në paraburgim.
Ortis raportohet se në muajin gusht kishte mbikëqyrur rastin e mashtrimit prej 230 milionë dollarësh, që dyshohet se ishin marrë nga fondi i investimeve të Browder në Rusi. Megjithatë, ende është e paqartë nëse arrestimi i tij ka lidhje me punën në rastin Magnitsky.
Mercedes Stephenson, kryeredaktorja e gazetës Global News, tha në rrjetet sociale se “Ortis kishte pasur qasje në këto informacione: identitetet e policëve kanadezë që punojnë në mënyrë sekrete dhe po ashtu identitetet e agjentëve kanadezë që punojnë brenda dhe jashtë vendit”.
“Ka shqetësime serioze lidhur me atë nëse identiteti i këtyre persona është kompromentuar”, shkroi ajo.
Sipas mediave në Kanada, inteligjenca amerikane kishte njoftuar Otavën se Ortis po ofronte informacione të klasifikuara. Nëse ai dënohet për akuzat që e rëndojnë, mund të dënohet deri me 37 vjet burgim.