image Zbulohet identiteti i të dyshuarit që u kap duke kontrabanduar 34 sirianë në autostradën ‘Ibrahim Rugova’

Siguri

Zbulohet identiteti i të dyshuarit që u kap duke kontrabanduar 34 sirianë në autostradën ‘Ibrahim Rugova’

news image

Një person ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës pasi u kap në fshatin Gjuricë të Malishevës, saktësisht në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, teksa po kontrabandonte 34 shtetas të Sirisë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se personi i dyshuar është Kushtrim Elezkurtaj, 36-vjeçar nga Zhuri i Prizrenit.

Sinjali mëson se sirianët në mënyrë të organizuar kanë ardhur përmes rrugëve ilegale nga Turqia, ku atje secili prej tyre ka paguar një shumë parash me qëllim udhëtimi përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Kosovës deri në Serbi e më pas në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian.

Elezkurtaj u kap në flagrancë teksa po i transportonte ata me furgonin e tij, çka bëri që menjëherë të arrestohet dhe të dërgohet në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që Elezkurtajt t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kontrabandim me migrantë’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/