image Shpiket edhe një ministri e Kosovës!

Kosovë

Qeveria në largim/ Shpiket edhe një ministri e Kosovës!

news image

Në kohën kur Vetëvendosje dhe LDK, si fituese të zgjedhjeve, kanë  shprehur vullnetin dhe gatishmërinë, që në të ardhmen ta zvogëlojnë numrin e ministrive, Qeveria në largim ka zbuluar edhe një ministri të re, të 22-ën me radhë, të paktën në bazë të asaj që proklamojnë përmes komunikimeve zyrtare me publikun.

Është kjo “Ministria Mustafa”, që lidhet me emrin e përvetshëm të Ekrem Mustafës, ministrit aktual të Punëve të Brendshme, shkruan Gazeta Sinjali.

Ky gabim është bërë në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku funksioni i ministrit është ngatërruar me institucionin, si pasojë e pakujdesisë ose problemeve të mëdha të zotërimit të gjuhës shqipe nga zyrtarët e kësaj ministrie.

Në bazë të titullit të komunikatës për medie, bëhet e ditur se “Ministria Mustafa” ka takuar kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi.

Ky nuk është rasti i vetëm kur kjo ministri dhe drejtuesit e saj bëjnë gabime trashanike sa i përket ligjërimit publik të gjuhës amëtare. 

Dy ditë më parë, ministri në largim Ekrem Mustafa, në paraqitjen e tij para mediave, teksa ka folur për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Maqedonisë, ka thënë se “Kosova dhe Maqedonia janë dy vende miqe”. 

Përveç kësaj, ministri Mustafa e ngatërronte shtetin maqedonas me policinë dhe nuk arrinte të artikulohej assesi duke përthurur fjalët “stimulim” e “demonstrim”.

Probleme të ngjashme, Mustafës i janë shfaqur edhe gjatë raportimeve që i bënte në komisione të ndryshme parlamentare. /Gazeta Sinjali/