Me të shtëna me armë dhe me një person të plagosur ka përfunduar një konflikt në komunikacion mbrëmjen e së hënës mes një veture dhe një motoçiklete në lagjen “Tophane” në Prishtinë, raporton Sinjali.
Sinjali ka mësuar nga burimet e veta se gjuajtja me armë zjarri ku më pas është plagosur një person ka ardhur për shkak të një konflikti në komunikacion.
Ngjarja ka ndodhur rrugën “Lidhja e Prizrenit” në ora 21:00 ku personi me iniciale K.L 29-vjeçar është plagosur në këmbë nga gjuajta me armë zjarri. Ai më pas është dërguar në emergjencë për ndihmë mjekësore.
Së bashku me 29-vjeçarin prezent ka qenë edhe vëllai i tij R.L, por që sipas burimeve të Sinjalit nuk ka marrë ndonjë lëndim në këtë incident.
Ngjarja kishte ndodhur kur një person kishte dalur nga vetura e tipit ‘Golf 7’ e i cili kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të dy vëllezërve për të ikur më pas nga vendi i ngjarjes.
Sinjali jozyrtarisht mëson se Policia e Kosovës ka identifikuar V.G si të dyshuar për këtë rast, por që i njëjti nuk kishte qenë në shtëpi. Në ndërkohë bëhet e ditur se personi i plagosur është liruar nga tretmani mjekësor dhe gjendet jashtë rrezikut për jetë./Sinjali/