image Zbardhen detaje se si 25-vjeçari nga Kamenica dyshohet se e dhunoi një 39-vjeçare në një mal

Drejtësi

Zbardhen detaje se si 25-vjeçari nga Kamenica dyshohet se e dhunoi një 39-vjeçare në një mal

news image

Një 25-vjeçar është dërguar sot në paraburgim, pasi dyshohet se ka dhunuar një grua më 23 shkurt në një fshat të Kamenicës. Gjykata Themelore e Gjilanit ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. I riu që u arrestua tri ditë pasi ka ndodhur kjo ngjarje e trishtë është recidivist i veprave penale. Sinjali ka mësuar detaje se si ndodhi rasti në natën e 23 shkurtit.

Burime të Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se e gjithë ngjarja ka ndodhur në fshatin Rubovc të Kamenicës, aty ku 25-vjeçari dyshohet se e dhunoi një femër (emër i njohur për redaksinë).

Më 23 shkurt, siç mëson Sinjali, i riu fillimisht e dërgon viktimën në fshatin Rubovc, me qëllim që të kryej akt seksual. Aty, përmes përdorimit të dhunës, e ka detyruar viktimën që të kryej marrëdhënie seksuale, pa pëlqimin e saj.

Sipas të njëjtave burime, ai e ka kapur me forcë për krahu viktimën, duke e shtyrë në mal, ku e detyron të kryej marrëdhënie seksuale.

Për shkak të lëndimeve që viktimës i ka shkaktuar i dyshuari, e njëjta është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në Spitalin rajonal të Gjilanit.

Burimet e Sinjalit kanë njoftuar po ashtu se 25-vjeçari që u dërgua në paraburgim si i dyshuar për veprën penale “dhunim”, është recidivist i veprave penale.

Lidhur me rastin, Policia ka njoftuar më 27 shkurt, përmes raporti 24-orësh.

“Kamenicë, 23.02.2022-16:00/22:00. Me datë 26.02.2022 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ditë me parë e kishte keqtrajtuar fizikisht dhe seksualisht viktimën femër kosovare. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

Ndryshe, sipas Kodit Penal “Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/