image Zbardhen detaje nga shpërthimet pranë hotelit ku qëndroi Macron në Damask

Botë

Zbardhen detaje nga shpërthimet pranë hotelit ku qëndroi Macron në Damask

news image

Dy shpërthime kanë ndodhur të martën në qendër të Damaskut, pranë hotelit ku kishte qëndruar presidenti i Francës, Emmanuel Macron, duke lënë të paktën 18 persona të plagosur.

Sipas autoriteteve siriane, në mesin e të plagosurve janë edhe katër policë. Ministria e Brendshme njoftoi se shpërthimet u shkaktuan nga dy mjete artizanale shpërthyese, njëra e vendosur në një veturë të parkuar dhe tjetra në një kontejner mbeturinash.

Shpërthimet ndodhën pak minuta pasi Macron kishte mbërritur në pallatin presidencial për t’u takuar me presidentin sirian, Ahmad al-Sharaa. Sipas Pallatit Élysée, vizita e presidentit francez po vazhdon sipas planit.

Euronews raporton se shpërthimet ndodhën pranë hotelit “Four Seasons”, ku Macron kishte kaluar natën, por presidenti francez ishte larguar nga hoteli para incidentit dhe autokolona e tij nuk u prek, përjell Sinjali.

Gazetarët në vendngjarje raportuan se një shtëllungë tymi u ngrit pranë hotelit, ndërsa forcat e sigurisë bllokuan zonën dhe ambulancat mbërritën menjëherë për t’u ofruar ndihmë të plagosurve.

Ky është incidenti i dytë me shpërthime në Damask brenda pak ditësh. Të enjten e kaluar, 10 persona humbën jetën nga një shpërthim në një kafene në kryeqytetin sirian.

Macron është lideri i parë perëndimor që viziton Sirinë që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assad në vitin 2024. Vizita e tij ishte mbajtur sekret deri në mbërritjen në Damask për arsye sigurie.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/