Brazili ka marrë një goditje të rëndë në Kupën e Botës 2026, pasi Lucas Paqueta rrezikon të humbasë pjesën e mbetur të turneut pas dëmtimit që pësoi në fitoren 2-1 ndaj Japonisë.
Mesfushori i Flamengos, një nga lojtarët kyç të Carlo Ancelottit gjatë turneut, tashmë përballet me një garë kundër kohës për t’u rikuperuar dhe për t’u rikthyer në fushë.
Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) ka konfirmuar se Paqueta ka pësuar një dëmtim të konsiderueshëm muskulor gjatë sfidës ndaj Japonisë.
28-vjeçari u detyrua të largohej nga fusha në pushimin mes pjesëve të ndeshjes së zhvilluar në Houston, ndërsa ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar një diagnozë shqetësuese.
“Paqueta iu nënshtrua një ekzaminimi me imazheri, i cili konfirmoi një dëmtim muskulor në pjesën e pasme të kofshës së majtë. Lojtari do t’i nënshtrohet një programi intensiv trajtimi nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të Kombëtares së Brazilit, me synimin për t’u rikuperuar dhe për t’u rikthyer në fushë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e CBF-së.
Edhe pse federata nuk ka dhënë një afat të saktë rikuperimi, raportimet e ESPN bëjnë të ditur se Paqueta ka pësuar tërheqje muskulore të shkallës së dytë në pjesën e pasme të kofshës.
Ky lloj dëmtimi zakonisht kërkon të paktën tre javë rikuperim, çka në teori do ta linte jashtë pjesës së mbetur të Kupës së Botës, përveç nëse Brazili arrin në finale dhe mesfushori rikuperohet më shpejt se parashikimet.
Mungesa e Paquetas shton edhe më shumë problemet në kampin brazilian përpara fazës me eliminim direkt.
Ai i bashkohet listës së të dëmtuarve edhe Raphinhas, i cili gjithashtu ka pësuar një dëmtim në pjesën e pasme të kofshës gjatë fazës së grupeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!