Ndonëse kanë kaluar 21 vite që nga përfundimi i luftës, banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës po vazhdojnë të ballafaqohen me frikën e të rrezikohen nga xhandarmëria serbe, transmeton Gazeta Sinjali.
Për banorët e këtij fshati netët janë sinonim i ankthit, kjo sepse shumë shpesh ata detyrohen të mbrojnë tokat e tyre.
Kryetari i bashkësisë lokale dhe përfaqësuesi i banorëve të Karaçevës, Selver Lenjani, me shqetësim ka thënë se fshatrat e brezit kufitar të këtij vendi do të mbesin jashtë territorit të Kosovës, pas hyrjes se herë-pas-hershme të xhandarmërisë serbe aty.
Ai u shpreh se edhe pse që 21 vite çdo institucion i Republikës së Kosovës është informuar për këtë problem, askush nuk është marrë me këtë çështje, sa që i gjithë fati ka mbetur nën mëshirën e qytetarëve të këtyre fshatrave.
Lenjani thotë se hyrja e xhandarëve brenda territorit të Kosovës nuk është ndalur as kohëve të fundit.
“Që 21 vite çdo institucion e kemi lajmëruar për këtë problem, askush nuk është marrë me çështje, po kam frikë që e gjithë fati ka mbetur në mëshirën e banorëve të Karaçevës. Kam mbajtur edhe një takim me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i kam kërkuar të pranojë një delegacion në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që të merret një vendim i prerë dhe të merren me çështjen e brezit kufitar, kam frikën që fshatrat e këtij brezi do të mbeten jashtë territorit të Kosovës, ata vazhdimisht hyjnë brenda territorit”, tha ai për lajmi.net.
Lenjani i ka kërkuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, por edhe kryeministrit, Albin Kurti, që urgjentisht të kërkojnë nga Brukseli të mbrohet territori dhe sovraniteti territorial dhe të mbrohen tokat e Karaçevës, pasi hyrja e çfarëdo xhandarmërie që shkelë qetësinë e banorëve është e ndaluar sipas tij.
“Kërkoj urgjentisht prej presidentes, Vjosa Osmani, po edhe prej kryeministrit, Albin Kurti, që të dërgojë lutje në Bruksel dhe të kërkojë që të mbrohen brezi kufitar dhe sovraniteti territorial dhe të mbrohen tokat tona, në asnjë mënyrë nuk guxojnë të shkelin në tokat tona dhe të shqetësojnë qytetarët duke i’u krijuar probleme”, shtoi ai.
Kujtojmë se Karaçeva është zonë neutrale dhe e vetmja forcë që i lejohet të hyjë në atë zonë është KFOR-i, dhe se hyrja e xhandarmërisë serbe në këtë zonë nga banorët tash e disa herë është konsideruar provokim direkt.