Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, sot mohoi rolin e avokatit të Serbisë, për çka tha se kanë qenë kundër retorikave nacionaliste dhe kërcënimeve ushtarake të tyre.
Derisa foli për situatën e tensionuar për disa javë në veri, ajo deklaroi se Shqipëria mbështet me shumë vendosmëri sundimin e ligjit në veriun e Kosovës. Ajo dënoi sulmin e djeshëm në Shtërpcë ndaj dy qytetarëve me etni serbe.
Në konferencë për media, ajo po ashtu u zotua që gjatë këtij viti do të thellohet bashkëpunimi me Kosovën me takime ndërqeveritare dhe do të angazhohen për diskutime në Këshillin e Sigurimit për Kosovën.
E pyetur se si është ndihmuar Kosova gjatë vitit të kaluar, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi se Shqipëria mbështet me vendosmëri sundimin e ligjit në veri të Kosovës.
Ajo tha se vetëm dialogu është rruga drejt paqes, stabilitetit dhe rrugëtimit evropian.
“Ne kemi ndjekur me shumë vëmendje dhe me shumë shqetësim gjitha ngjarjet në Kosovë, në kontakt të ngushtë me partnerët tanë. Vendimi konstruktiv i Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve në veri, ishte një vendim i duhur por për fat të keq nuk ia doli që të ç ‘tensiononte situatën, ashtu siç duhej të kishte ndodhur. Dhe pastaj bojkoti i institucioneve, akteve të papranueshme të dhunës nga disa grupe të serbëve të Kosovës kundër policëve të Kosovës, kundër EULEX-it, kundër gazetarëve e përkeqësuan më tej situatën duke krijuar në këndvështrimin tonë një eskalim, një tension artificial të pajustifikuar, të papranueshëm i cili mund të kishte degraduar më keq nga ajo që kemi parë deri më tani. Prandaj edhe ne kemi bërë thirrje, koordinuar me partnerët edhe aleatët tanë për t’i dhënë fund këtyre akteve, për të hequr menjëherë barrikadat, sigurisht të rreshtuar krah Kosovës. Ne jemi edhe më të vendosur përkrah Kosovës. Shqipëria mbështet me shumë vendosmëri sundimin e ligjit në veriun e Kosovës”, u shpreh ajo.
Ajo deklaroi se asnjëherë nuk kanë mbrojtur retorikat nacionaliste të Serbisë, përkundër bashkëpunimit ekonomik në procesin e Ballkanit të Hapur.
“Dënojmë edhe sulmin që ka ndodhur dje ndaj dy qytetarëve të Kosovës me etni serbe dhe përshëndesim atë që ka bërë Policia e Kosovës, duke vepruar shpejt në përpjekje për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë por edhe në përpjekje për të siguruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë ata me etni serbe, pa dallim. Një zgjidhje e vërtetë, afatgjatë dhe e qëndrueshme për këto tensione mund të vij vetëm përmes një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë. Dhe ne jemi absolutisht mbështetës të kësaj qasjeje. Sovraniteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe sa më shpejt të pranohet ky realitet nga Serbia, aq më mirë do të jetë për stabilitetin, prosperitetin dhe integrimin evropian të rajonit tonë. Dhe retorikat nacionaliste dhe kërcënimet për zgjidhje ushtarake vetëm nxisin tensionin dhe ne kemi qenë gjithmonë kundër kësaj. Dhe nuk ka pasur absolutisht në asnjë rast të vetëm, asnjë lloj mbrojtje të Serbisë duke dëmtuar Kosovën”, tha ajo në konferencë për media.
Xhaçka tha se do punohet për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën, edhe me takime të tjera ndërqeveritare.
“Do thellojmë bashkëpunimin edhe me mbajtjen e takimeve ndërqeveritare me Kosovën, me shkëmbimin e diplomatëve mes dy ministrive të jashtme të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe përfundimin e procedurave për konsullatat e përbashkëta. Do të thellohet bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut sidomos puna e përbashkët për korridorin 8. Që do të thotë që përtej bashkëpunimit dypalësh do të ketë një dialog të forcuar për korridorin 8 edhe me Bullgarinë edhe me Italinë. Me Italinë do të nxitet fillimi i marrëveshjes për pensionet. Me Greqinë do të vijojë mbajtja e takimeve teknike për një marrëveshje potenciale për mbrojtjen sociale dhe për pensionet”, deklaroi ajo.
Po ashtu, ministrja e Jashtme e Shqipërisë tha se do të vazhdohet angazhimi në Këshillin e Sigurimit për Kosovën.
“Mbetemi tërësisht të angazhuar në diskutimet në Këshillin e Sigurimit për rajonin tonë, për Kosovën pikë së pari, për Bosnjë Hercegovinën, por njëkohësisht edhe për çështje në vendet dhe rajonet që janë në qendër të vëmendjes të aktivitetit të këshillit si procesi i paqes në Lindjen e Mesme në Siri, por edhe në vende dhe rajone të tjera të botës si në kontinentin afrikan. Trajtimi i rrezikut dhe kërcënimeve që paraqet Koreja e Veriut në lëshimin e raketave të saj, përbën një nga çështjet që po ndiqet me vëmendjen e duhur si dhe do të jetë në fokus të Japonisë që mban presidencën e këshillit këtë muaj, pra në muajin janar”, u shpreh ajo.
Xhaçka shtoi se Prishtina duhet t’i ketë të gjithë miqtë në krah, kur u pyet për deklaratën e kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se as ambasadori amerikan dhe as sekretari i shtetit nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën.