Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duket se ka ndryshuar qasjen ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shfaqur një qëndrim më pozitiv për Ukrainën dhe aftësinë e saj për t’u përballur me agresionin rus.
Sipas një raporti të publikuar nga The Wall Street Journal, ndryshimi është vënë re në prag të takimit mes dy liderëve në Uashington, ku pritet të diskutohet për bashkëpunimin ushtarak dhe zhvillimet e fundit në luftën në Ukrainë.
Burime amerikane kanë bërë të ditur se Trump është impresionuar nga përparimi i Ukrainës në zhvillimin e teknologjisë së dronëve dhe aftësia e saj për të përballuar sulmet ajrore, faktorë që kanë ndikuar në ndryshimin e perceptimit të tij.
Raporti thekson se administrata amerikane po shqyrton edhe mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, përfshirë prodhimin e dronëve dhe sistemeve mbrojtëse.
Megjithatë, burimet pranë presidentit amerikan vlerësojnë se qëndrimet e Trump mund të ndryshojnë shpejt, duke qenë se ai shpesh ka lëvizur mes qasjeve të ndryshme në politikën e jashtme.
Takimi i planifikuar mes Trump dhe Zelenskyt pritet të jetë një tregues i rëndësishëm për drejtimin që do të marrin marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit në muajt e ardhshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!