image VV reagon për sulmin ndaj autobusit me udhëtarë kosovarë

Kosovë

Kosovë/ VV reagon për sulmin ndaj autobusit me udhëtarë kosovarë

news image

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas sulmit me gurë dhe mjete të forta që ndodhi në Serbi ndaj një autobusi me udhëtarë nga Kosova, që shkonin drejt vendeve të BE-së.

VV kanë bërë thirrje institucioneve të vendit që të bëjnë presionin e duhur ndaj Serbisë, si dhe që ta ngrejë këtë çështje në nivel ndërkombëtar në mënyrë të sigurohet liria e lëvizjes për çdo qytetar të Republikës së Kosovës.

Sipas VV-së, është retorika zyrtare e shtetit dhe pushtetit në Serbi, e riprodhuar nga kisha, shkolla e media, ajo që i mbush qytetarët e Serbisë me urrejtje ndaj shqiptarëve.

“Kjo ideologji ka shkaktuar spastrime, vrasje e dhunime në të shkuarën, dhe ende mund ta bëjë të njëjtën nëse nuk ndryshohet. Duhet një përpjekje e bashkërenduar, ndërkombëtare, për ta defashistizuar politikën e Serbisë, dhe për ta ndalur urrejtjen e retorikën shoviniste. Nga ana tjetër është edhe joserioziteti i shtetit tonë në raport me këtë Serbi haptazi anti-shqiptare. Me deklarata jodinjitoze diplomatët dhe pushtetarët e Kosovës bëjnë përpjekje për të mbuluar dhjetëra marrëveshje që i kanë nënshkruar me Serbinë, pa e kushtëzuar asnjëherë”, thuhet në reagimin e VV-së.

“Sa deklarata janë bërë se po sigurohet lëvizja e lirë, por gjendja mbetet e njëjtë: qytetarët e Kosovës lëvizin me frikë, dhe kohë pas kohe sulmohen. Përveç se mërgata jonë dhunohet duke pritur me orë të tëra në kufi duke hyrë e dalur nga vendi ata me vete bartin edhe frikën nga sulmet që mund t’i marrin. Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon ashpër sulmin, dhe i bëjmë thirrje institucioneve të vendit që të bëjnë presionin e duhur ndaj Serbisë, si dhe që ta ngrejë këtë çështje në nivel ndërkombëtar, që të sigurohet liria e lëvizjes për çdo qytetar të Republikës së Kosovës, që të mos rrezikohet jeta e askujt dhe kryerësit e këtij akti vandal të ndëshkohen. Si çdo politikë diskriminuese, edhe anti-shqiptarizmi është i papranueshëm, e sidomos për ne shqiptarët”, thuhet tutje në reagim.