Komuna e Vushtrrisë ka shpallur ditën e sotme ditë zie pas vdekjes tragjike të tre qytetarëve të saj në një aksident.
Vendimi është marrë nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në shenjë nderimi dhe respekti për jetët e humbura të Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit.
Në kuadër të ditës së zisë, të gjitha institucionet publike dhe subjektet afariste në territorin e komunës janë obliguar që flamujt shtetërorë t’i vendosin në gjysmështizë.
Gjithashtu, gjatë kësaj dite janë pezulluar aktivitetet politike, kulturore dhe sportive në komunë, si shenjë respekti ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
“U shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve Tërnava dhe Shabani dhe bashkëndjejmë dhimbjen për këtë humbje të rëndë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Vushtrrisë.
Vushtrria sot është e mbuluar nga dhimbja, ndërsa qytetarët kanë shprehur solidaritet me familjet e të ndjerëve pas kësaj tragjedie.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!